Partia Demokratike denoncoi këtë të martë dhënien, sipas saj, të një lejeje ndërtimi në Golem, ku do të shkatërrohet një park lojërash për ngritjen e një godine biznesi.
Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, tha në një dalje për mediet se kryeministri Rama po vepron me dy standarde, nga njëra anë prishja e banesave për të pamundurit dhe nga ana tjetër privilegji dhe hatri për miqtë e pushtetit.
“Ligji i Maliqit për të pamundurit dhe privilegji e hatri për miqtë janë shfaqur së fundmi në formën më arrogante të mundshme në bregdetin e Golemit, ku Edi Rama ka dhënë leje për prishjen e ambjenteve sportive e të përbashkëta për banorët, në resortin Laguna Blu, duke lejuar që aty të hedhë shtat një ndërtim skandaloz. Me firmën e Edi Ramës po grabitet një pasuri publike për t’u kthyer në biznes për klientelën e tij dhe për ata që kërkon t’i nënshtrojë”, tha Strazimiri.
Deputeti demokrat tha se kjo ndodh në kohën kur Edi Rama ka shembur e bërë hi mijëra ndërtime të ligjshme apo në legalizim, të ngritura me mundin e djersën e të pamundurve të ketij vendi.
Opozita nuk bëri publik asnjë emër, por tha se leja e ndërtimit në Golem po jepet për të fituar mbështetjen e një medieje.
“Kryeministri oksidental po zhduk një hapësirë sportive të përbashkët, për t’ia dhënë përsëri për ndërtim “Koçove” të tij, përsëri në breg të detit, në mënyrë që të fitoje një tjetër mjero mediatik, e kësisoj, më shumë propagande e përkrahje për një regjim që askush s’e do më”, tha Strazimiri.
Partia Demokratike kërkon ndalimin e punimeve dhe shprehet se regjimi me dy standarde, sipas saj, i ka ditët e numëruara dhe nuk do ta shpëtojnë përpjekjet për shtimin e haremit mediatik.
Top Channel