Trafiku i fëmijëve, Tahiri: Ndëshkim prindërve që i shfrytëzojnë

23/10/2015 13:25

Gjatë Konferencës Kombëtare të trafikimit të qënieve njerëzore, ministri i Brendshëm deklaroi se institucionet e drejtësisë duhet të aplikojnë ligjet që dënojnë me dhjetë vjet burg të gjithë prindërit që braktisin fëmijët.

“Policia e Shtetit dhe të gjitha hallkat institucionale do të kërkojnë aplikimin rigoroz të legjislacionit në fuqi, përfshi atë penal, ku parashikohet dënim deri në 10 vjet burg për të gjithë ata prindër që braktisin fëmijët”, u shpreh Tahiri.

Ambasadori amerikan Donald Lu, kërkoi më shumë angazhim dhe shprehu mbështetjen e vendit në luftë ndaj skllavërisë moderne.

“Në vitin e fundit, ky vend ka bërë përparime domethënëse në luftën kundër këtij krimi. Nga 2014, Qeveria ka ndërmarrë hapa të guximëshëm për ndjekjet penale ndaj trafikuesve, por mbetet ende punë për të bërë në fushën e ndjekjes penale”, tha Lu.

Pas kësaj konference, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se do të procedohen penalisht të gjithë prindërit që detyrojnë fëmijët e tyre që të lypin në rrugë.

“Do të fillojë identifikimi i fëmijëve të trafikut, përfshirë edhe ata në situatë rruge, duke kërkuar procedime penale për prindërit që i shfrytëzojnë në të tillë mënyrë”, tha Tahiri.

Statistikat e policisë tregojne se janë identifikuar 340 fëmijë në rrugë, nga të cilët 123 në Shqipëri. Media britanike njoftoi pak ditë më parë se në këtë vend janë qindra fëmijë shqiptarë që kanë emigruar të vetëm dhe shfrytëzohen në punë të rënda ose nga grupet kriminale.

Top Channel