“Arratisen” edhe kreditë, 7 herë më shumë kredi për kompanitë jashtë vendit

22/10/2015 15:05

Ndërsa kredia për ekonominë e brendshme është rrudhur, bankat shqiptare kanë dhënë gati 500 milionë dollarë kredi për bizneset e huaja, kryesisht në vendet fqinje.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se tregu financiar është duke u përballur së fundmi me rritjen e shpejtë të financimeve që bankat shqiptare janë duke dhënë për bizneset jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Maqedoni, Kosovë dhe vendet e tjera fqinje.

Sipas Bankës së Shqipërisë nga 30 miliardë lekë që ishte në qershor të vitit të kaluar, kredia për bizneset e huaja gati u dyfishua duke arritur me 58 miliardë lekë në fund të qershorit të këtij viti. Kjo do të thotë se shtesa e kredisë për bizneset jashtë Shqipërisë në harkun kohor të një viti ishte 7 herë më e lartë se sa kredia që u dha për ekonominë e brendshme .

Kreditimi i drejtëpërdrejtë i bizneseve të huaja nuk është një fenomen i ri, pasi ka ekzistuar edhe më parë, por në shifra shumë më të vogla. Por pse bankat po preferojnë që një pjesë të mirë të kursimeve të shqiptarëve ta kanalizojnë në kredi për kompanitë e huaja? Sipas Bankës së Shqipërisë arsyeja kryesore është kërkesa e dobët nga biznesi vendas, por edhe projektet jo cilësore të investimeve, që gjeneron ai.

Dalja masive e kapitalit jashtë, tani jo vetëm në formën e depozitave që bankat shqiptare vendosin tek mëmat e tyre, por edhe si kredi e drejtëpërdrejtë për bizneset e huaja, reflekton veç kërkesës së dobët edhe faktin se bankat perceptojnë pasiguri në tregun e brendshëm, ndonëse, sipas BSH, situata financiare e tyre dhe gjendja e likuiditetit është përmirësuar ndjeshëm.

Top Channel