Policia e qarkut Shkodër ka vënë në pranga në orët e pasdites një shtetas nga Kosova, përgjegjës për një incident të ndodhur më herët gjatë së martës, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Në një njoftim për shtyp të drejtorisë lokale të policisë saktësohet se, i arrestuari është shtetasi Besnik Lushaj, 53 vjeç nga Suhareka dhe banues në Trevizo të Italisë.
Rreth orës 15:00, Lushaj ka qenë duke drejtuar një automjet tip “Kia” me targë “ER 918 WR” dhe kur ndodhej në aksin Shkodër-Lezhë është përplasur me një veturë tip “Peugeot”.
Si pasojë e përplasjes drejtuesi i veturës në fjalë, shtetasi Nuh Çeraj, 61 vjeç nga Velipoja, ka ndërruar jetë disa orë më vonë në spitalin rajonal të Shkodrës.
Ndërkohë, nga përplasja ka mbetur i plagosur edhe babai i të arrestuarit, shtetasi Hysen Lushaj, i cili për fat të mirë nuk është në rrezik për jetën.
Tani 53-vjeçarit Lushaj do t’i duhet të përgjigjet përpara hetuesve mbi dinamikën e ngjarjes, sipas procedurave ligjore përkatëse.
Top Channel