Tragjedia në Mekë, fajtore kompania e Bin Ladenit

16/09/2015 00:00

Autoritetet saudite kanë bërë të ditur se, gjiganti saudit i ndërtimeve, grupi “Bin Laden” është pjesërisht përgjegjës për aksidentin vdekjeprurës të së premtes së shkuar, kur një vinç gjigant u rrëzua mbi Xhaminë e Madhe në Mekë.

Komisioni hetimor doli në përfundimin se, kompania nuk kishte respektuar normat e sigurisë. Vinçi ra gjatë një stuhie, duke i marrë jetën 107 personave dhe duke plagosur 400 të tjerë.

Kompania e ndërtimit është në pronësinë e familjes së kreut të vrarë të Al Kaedës, Osama Bin Laden. Drejtuesit e kompanisë janë ndaluar të largohen nga vendi, deri sa hetimi të përfundojë plotësisht. Kompania, po ashtu do të përjashtohet nga çdo kontratë publike gjatë së njëjtës kohë.

Vinçi i kuq gjigant u rrëzua mbi një pjesë të Xhamisë së Madhe, ndërsa ishte e mbushur me besimtarë, më pak se dy javë para pelegrinazhit të përvitshëm të Haxhit.

Xhamia, e njohur si “Masxhid al Haram”, është më e madhja në botë dhe rrethon vendin e shenjtë islam, Qabenë. Grupi saudit “Bin Laden” ka punuar për 4 vite për zgjerimin e Xhamisë së Madhe, në mënyrë që brenda saj të pritet një numër më i madh pelegrinësh.

Kompania është themeluar nga babai i Osama Bin Ladenit, 80 vite më parë, e drejtohet aktualisht nga vëllai i Osamës, Bakir.

Top Channel