Kur Perëndimi refuzonte propozimin e Moskës për largimin e Assadit

16/09/2015 13:45

Nëse do të ishte pranuar do të ishin kursyer jetët e mijra sirianëve dhe vuajtjet e miliona të tjerëve që kanë marrë arratinë për t’i shpëtuar konfliktit në vendin e tyre.

Më shumë se tre vjet më parë, kur konflikti i armatosur sirian nuk ishte përshkallëzuar ende në një luftë të mirëfilltë civile kaotike, Rusia propozoi një plan paqeje që do të mënjanonte Bashar al Assadin nga skena politike siriane.

Ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, një prej negociatorëve në hije që u përfshi në bisedimet mes Perëndimit dhe Moskës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për çështjen siriane, rrëfen se si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca refuzuan ofertën e Moskës.

Në fakt, në ditët kur është bërë oferta ruse ISIS nuk kishte dalë ende në skenën ndërkombëtare dhe forcat e koalicionit opozita po fitonin terren me shpejtësi ndaj ushtrisë së Bashar al Assad.

Plani i paqes është propozuar nga ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin. Plani i tij ishte i thjeshtë dhe mbështetej në tri pika, njëra prej të cilave përfshinte tërheqjen e Assad në një pikë të bisedimeve të paqes që do duhej të nisnin mes rebelëve dhe Damaskut zyrtar.

Perëndimi ishte i bindur që Basha al Assad do të rrëzohej dhe nuk dëshironin t’i bënin lëshime Moskës që synonte të mbronte ende një pjesë të interesave të veta në rajon. Por shpejt ngjarjet rrodhën në një spirale krejt tjetër dhe pasojat e tyre po i vuajnë ende sot miliona civilë. 

Marti Ahtisari rrëfen një takim të shkurtit të 2012-ës me Churkin.

“Ishte një takim intrigues. E njoh Churkin, kemi qëndrime të ndryshme për shumë çështje, por kjo nuk na ka penguar që të flasim. Kur e takova më tha: Martti, ulu dhe do të të them unë se çfarë duhet të bëjmë…dhe më tha tre gjëra: e para të mos armatosej opozita, e dyta, të nisë dialogu mes palëve dhe e treta, gjetja e një mënyrë elegante për të larguar Assad-in”, rrëfen Ahtisaari.

Ish-presidenti finlandez, i njohur edhe për pakon e famshme për Kosovën, thotë se këtë mesazh ia përcolli Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës, por nuk mori kurrë përgjigje prej tyre.

“Mendoj se të gjitha këto vende ishin të bindura se Assadi do të rrëzohej brenda pak javësh dhe nuk ishte nevoja për të bërë këto lëshime”, thotë ai.

Sot, kur balancat e fuqisë në terren kanë ndryshuar, Perëndimi është i gatshëm që të pranojë një plan të ngjashëm. Ministri i Jashtëm britanik, Hammond deklaroi sugjeroi një plan paqeje ku propozohej që Assad të qëndrojë në pushtet për 6-muaj si periudhë tranzicioni, por plani u refuzua nga presidenti sirian.

Top Channel