Gjiknuri: Siguri energjitike përmes diversifikimit të burimeve

16/09/2015 10:35

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka marrë pjesë në konferencën “Siguria dhe infrastruktura në Europën Juglindore”, të organizuar në Sofje.

Në cilësinë e drejtuesit të radhës së Presidencës së Komunitetit të Energjisë, Ministri Gjiknuri në fjalën e tij u ndal tek nevoja për diversifikimin e burimeve energjitike si rruga më e mirë për të garantuar sigurinë energjitike. Ai tha se tashmë të gjitha vendet e Evropës Jug-Lindore po i kushtojnë vëmendje forcimit të lidhjeve të interkonjeksionit midis tyre për të maksimalizuar shkëmbimet e energjisë.

Shqipëria tha ministri, e ka funksionale linjën e interkonjeksionit me Malin e Zi dhe Greqinë ndërsa vitin e ardhshëm përfundon linja e transmetimit me Kosovën. Vendi ynë, vijoi ai, e ka garantuar mbështetjen financiare për ndërtimin edhe të linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë çka rrit potencialisht mundësitë për shkëmbime edhe me tregun bullgar të energjisë.

Në këtë kontekst, z. Gjiknuri u shpreh se shihet me shumë interes krijimi i kushteve për funksionimin e Tregut të përbashkët rajonal të Energjisë, duke kthyer në sinergji burimet diverse të vendeve partnere.

“Për efekt të hapësirës së vogël të tregjeve dhe fragmentarizimit ekonomik, tregu i përbashkët jo vetëm që rrit sigurinë energjitike, por ofron dhe çmime më të favorshme per konsumatorët”, tha Gjiknuri.

Ministri u ndal edhe tek Projekti TAP i cili i jep Shqipërisë një rol të ri të rëndësishem rajonal në sektorin e energjisë, krijon sinergji pozitive ndërmjet Lindjes së Mesme dhe Europës, ndërmjet Kaspikut dhe Adriatikut.

Shqipëria, tha ministri, është duke përgatitur me konsulentë dhe me investime të Bashkimit Evropian, Masterplanin e Gazit, i cili përfundon në 2016. Synohet që një pjesë e gazit të shkojë për prodhimin e energjisë elektrike, duke përbërë një burim bazë, që i kombinuar me rezervuarët e mëdha hidro që ne i kemi, të garantojë një siguri më të madhe energjetike.

Gjatë konferencës, ministri Gjiknuri zhvilloi takime me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Ministrin e Jashtem dhe Ministren e Energjise së Bullgarisë.

Top Channel