Hungaria mbyll kufirin, polici-ushtri bllokojnë refugjatët

15/09/2015 13:05

Ligje të reja e më të ashpra ndaj emigrantëve hynë në fuqi këtë të martë në Hungari, duke i veshur forcat e rendit me fuqi shtesë.

Policët tani mund të ndalojnë këdo që përpiqet të kalojë barrierën e telave me gjemba të vendosur përgjatë kufirit me Serbinë.

Sipas autoriteteve hungareze, nga sot e tutje, kushdo që hyn ilegalisht në vend do të përballet me akuza penale, ndërsa refugjatët që kërkojnë azil duhet të përdorin pikëkalimet e mbikëqyrura nga policia.

Që disa orë përpara se legjislacioni frenues për refugjatet të hynte në fuqi, me dhjetëra policë, të mbështetur nga njësi me kuaj dhe ushtarë, bënë roje tek shinat e trenit ku kalojnë të ardhurit në itinerarin e tyre drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Kryeministri Viktor Orban, një kundërshtar i fortë i planeve për të lejuar sistemimin në Europë të refugjatëve nga Siria e shtete të tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veiore, u kujdes të theksonte se ligjet e reja kundër emigrantëve parashikojnë dënime me burgim dhe ndëshkime të rënda për trafikantët.

Kreu i ekzekutivit hungarez i këshilloi sidoqoftë forcat policore që të përdorin minimumin e forcës dhe t’i trajtojnë të ardhurit si qënie njerëzore. Orban sqaroi më tej se me rregullat e reja, me shumë gjasë, një pjesë e mirë e kërkesave të azilit do të refuzohen.

“Emigrantët do të pyeten nëse kanë paraqitur kërkesë për azil në Serbi. Në qoftë se nuk e kanë bërë këtë, atëherë, nisur nga fakti që Serbia është vend i sigurtë origjine, pretendimet e tyre do të refuzohen”, ka thënë Orban.

Zhvillimet në Hungari vijnë një ditë pasi ministrat e BE-së dështuan në arritjen e një marrëveshjeje unanime mbi skemën e kuotave të detyrueshme për shpërndarjen e 120.000 azilkërkuesve.

Gjithë çfarë prodhoi takimi i Brukselit ishte një dakordësi në parim, ndërsa një raund negociatash është vendosur të mbahet përpara takimit të radhës në tetor.

Top Channel