Kthimi në shtëpi në orët e vona pas pune apo pas disa orësh argëtimi tremb shumë njerëz.  E kush nuk ka kërkuar ndihmën e një miku a mikeshe për ta shoqëruar deri në banesë për të mos qenë vetëm rrugës?

Por tashmë miku juaj vjen në një tjetër formë…përmes një aplikacioni. Studentët e Kampusit Universitar të Miçiganit kanë ndërtuar një aplikacion që ju shoqëron gjatë gjithë rrugës. Aplikacioni quhet “Companion” (Miku).

Si funksionon?

Mjafton të kesh të instaluar aplikacionin dhe ta hapësh atë. Në nisje i kërkon një miku përmes numrave të kontaktit që të bëhet shoqëruesi juaj, edhe nëse s’e ka aplikacionin të instaluar në telefonin e tij.

Personi i përzgjedhur prej jush do të marrë një mesazh ku njoftohet për kërkesën. Nëse kërkesa pranohet, ai mund të ndjekë të gjithë rrugën e përshkuar prej jush. Aplikacioni regjistron çdo lëvizje tuajën. Nëse ju vraponi apo rrëzoheni në shesh, aplikacioni nis menjëherë një sinjal SOS tek miku i përzgjedhur. Pas kësaj, nëse miku juaj ju telefonon dhe ju nuk e ngrini telefonatën për 15 sekonda, aplikacioni do të telefonojë automatikisht policinë.

Lexie Ernst, bashkëthemelues i aplikacionit thotë se aplikacioni do t’u vijë në radhë të parë në ndihmë prindërve që merakosen më së shumti për fëmijët e tyre.

“Companion” ofrohet falas në App Store dhe Google Store dhe po përhapet me shpejtësi në gjithë botën.

Top Channel