Gara për Londrën; kandidati laburist, mik i shqiptarëve

13/09/2015 12:10

Kandidati zyrtar i laburistëve britanikë për kryetarin e ri të ardhshëm të Bashkisë së Londrës, njeriu që konsiderohet si favorit për ta fituar atë garë, Sadiq Khan, deputet në Parlamentin britanik, njihet si mik i shqiptarëve.

Ai do të konkurrojë me rivalin tij nga konservatorët e kryeministrit, Zak Goldsmith, e mendohet se do ta fitojë garën për kryebashkiakun e kryeqytetit britanik në zgjedhjet e ardhshme lokale, post të cilin e kanë pasur për dy mandate konservatorët e djathtë.

Me origjinë aziatike, Khan – fëmijë emigranti, – është mjaft i ndjeshëm ndaj komuniteteve të huaja që jetojnë në Britani dhe në Londër.

“Khan është mirënjohës, që edhe komuniteti i madh shqipfolës në Londër është bërë pjesë aktive e jetës kulturore, profesionale dhe politike e kryeqytetit britanik”, thotë për Top Channel, Lavdrim Krashi, specialist i njohur i çështjeve të pushtetit lokal në Londër dhe, njëkohësisht, mik personal i zotit Khan, duke qenë se është edhe kryetar i degës së Partisë Socialiste të Shqipërisë në Londër.

“Ndihem i privilegjuar për bashkëpunimin dhe krenar për respektin, që ai ka për komunitetin shqiptar”, shprehet Krashi.

Favoriti për kryebashkiak në Londër, Khan, herën e fundit mori pjesë në Festivalin e Kulturës shqiptare, një aktivitet mjaft impresionues i komunitetit shqiptar përpara Bashkisë së Londrës, më 8 qershor, ku edhe foli në atë aktivitet.

“Unë i dua shqiptarët – thotë ai në shqip, – dhe mezi pres të bashkëpunoj me ta, si dhe të vizitoj Shipërinë e Kosovën”, ka deklaruar Sadiq Khan, njeriu që konsiderohet nga media britanike se mund të jetë kryebashkiaku i ardhshëm i metropolit britanik.

FOTO GALERI
3/3
Khan dhe Krashi, gjatë aktivitetit të komunitetit shqiptar në Londër

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA