Pirateria, AMA bllokon e u vë sekuestron dy operatorëve në Fier

10/09/2015 00:00

Në kuadër të aksionit kundër ushtrimit të veprimtarisë audiovizive në mënyrë të kundërligjshme dhe të paautorizuar, të filluar në Qarkun e Fierit, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bërë sekuestrimin e pajisjeve të dy subjekteve kabllore, që transmetonin pa autorizim nga institucioni përkatës.

Gjatë kontrolleve u gjet se dy subjekte në Libofshë dhe Daullas, në njësinë administrative Libofshë, e cila tashmë përfshihet në Bashkinë e madhe të Fierit, pas ndarjes së re administrativo-territoriale ofronin shërbime audiovizive përmes shpërndarjes së paketave televizive për abonentët, pa autorizimin përkatës.

Ndaj tyre u mor masa e ndalimit, sekuestrimit dhe inventarizimit të pajisjeve, që përdoreshin për transmetimin në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, përfshirë edhe antenat transmetuese.

Njëkohësisht, ndaj tyre është duke u përgatitur edhe dokumentacioni përkatës për vazhdimin e procedurave të mëtejshme administrative dhe penale. Autoriteti i Mediave Audiovizive rithekson edhe një herë se, ky aksion i filluar në Qarkun e Fierit do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, me mbështetjen e plotë edhe të Policisë e Shtetit.

Top Channel