Kryeministri Rama mbledh të zgjedhurit vendorë

08/09/2015 11:35

Për të dytën herë të zgjedhurit e rinj vendorë, ku nuk munguan edhe ata të djathtë, u mblodhën në selinë e Kryeministrisë ku është nënshkruar marrëveshja mbi asistencën teknike të 61 njësive vendore e cila do të vijë nga PNUD dhe kompania “Gran Thorton Albania”.

Ministri Pushtetit Vendor Bledi Çuçi, tha se  tashmë ta nisur një erë e rë për pushtetin vendor.

“Sot fillon një proces i rëndësishëm drejt konsolidimit të bashkive të reja nga pikëpamja financiare-administrative. Në përfundim të këtij procesi do të kemi një ent publik, bashki e re duke ditur sa borxhe kemi nga të gjitha bashkitë që na bashkohen, duke ditur inventarin e aseteve dhe vlerën tregtare të pasurive publike që menaxhohen nga bashkitë tuaja, duke ditur hapësirën mes planifikimit buxhetor dhe të ardhurave të bashkisë”, deklaroi ministri Çuçi.

Faza e parë e transferimit të kompetencave, tha ministri Çuçi, do të thotë se pushtetit vendor i kalojnë arsimi parashkollor, shërbimi zjarrfikës, Fondi Ndihmës Ekonomike, pyjet dhe kullotat brenda territorit të bashkisë, rrjeti kanaleve ujitëse,bashkëkontrolli për shërbimin shëndetësor etj.

Qeveria, tha kryeminisri Rama, është në krahun tuaj dhe së bashku duhet të arrijmë standarde dhe monitorim të shërbimeve ndaj qytetarëve. Rama paralajmëroi se një  kompani auditimi do të jetë në gadishmëri për të kontrolluar bashkitë e reja. 

“Ne jemi shumë të investuar dhe shumë seriozisht për një reformë reale decentralizimi dhe për një fuqizim real të qeverisjes së nivelit të dytë. Jemi të bindur se çka është quajtur decentralizim në gjithë këto vite ka qenë vetëm një copëzim dhe thërrmim i potencialeve, jo vetëm i territorit, por i gjithë strukturës ekonomike dhe financiare të këtij vendi si i tërë”, deklaroi Rama.

Duke e quajtur ndarjen e re administrative si një proces shtet-formues, Kryeministri Rama kërkoi angazhimin e vendorëve edhe për operacionin kundër informalitetit, atë për energjinë elektrike dhe ujin.

Në këtë takim merrte pjesë edhe i zgjedhuri vendor nga e djathta, i cili gjatë të gjithë fushatës elekorale të zgjedhjeve vendore u përmend si shembull nga kryeministri Rama. Ai ka marrë një falenderim për pjesëmarrjen nga Rama, por identiteti i tij vijon të mbetet mister.

Top Channel