PD, Tabaku: Afera korruptive Meta-DIA, e faktuar

04/09/2015 11:15

Partia Demokratike, përmes deputetes Jorida Tabaku ka deklaruar se, skandali i rryshfetit të Ilir Metës u thellua dhe mori më shumë erë nga përpjekja e Edi Ramës për ta mbuluar, edhe pse reagimi i ryeministrit sipas saj është i thatë dhe “sa për të larë gojën”.

“Me anë të zyrës së tij, Edi Rama u mundua të komunikonte se avokatët e qeverisë në zyrën e Arbitrazhit në Vjenë nuk paskan përmendur emrin e Ilir Metës si përfitues të rryshfeteve në shuma të mëdha. Po çfarë kanë deklaruar zyrtarisht në fakt, të zezë mbi të bardhë Oliver Seyd dhe Tim Schreiber, avokatët e qeverisë shqiptare në dokumentin zyrtar drejtuar Arbitrazhit të Vjenës me datë 30 qershor 2015? Ata janë shprehur si më poshtë: DIA ka marrë miliona euro nga CEZ në atë kohë dhe i ka justifikuar këto shuma për rryshfete për zyrtarë të lartë, përfshirë një ish-kryeministër, i cili ka qenë nën akuzë më parë për korrupsion. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve BIRN, që botoi këtë skandal, ka arritur në konkluzionin se ish-kryeministri që përmendin avokatët e qeverisë, i cili ka qenë nën akuzë më parë për korrupsion, është Ilir Meta”, ka deklaruar Tabaku.

Sipas saj, i gjithë hetimi, bazuar edhe në deklaratat e mëparshme të CEZ para autoriteteve shqiptare, çon, ashtu siç e kanë pranuar zyrtarisht avokatët e qeverisë shqiptare, tek Ilir Meta.

“BIRN flet edhe për rrethana të tjera që e lidhin Ilir Metën me DIA-n, si për shembull vajtjen e tij deri në Pragë në zyrat qendrore të CEZ për të lobuar që DIA, kompania që ka shpërndarë rryshfete, të kontraktohej për mbledhjen e borxheve dhe shërbime të tjera”, ka nënvizuar Tabaku.

Ajo ka shtuar se, dokumente të siguruara nga agjencia BIRN dhe të publikuara në një shkrim të datës 3 qershor 2015 tregojnë se ish-drejtori i përgjithshëm i CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek ka konfirmuar se Kastriot Ismailaj u rekomandua nga Ilir Meta, i cili u ofrua si garant i marrëveshjes.

“Këto janë faktet, kjo është e vërteta. Të tjerat janë përpjekje të dëshpëruara për të mbuluar këtë skandal. Ngjarja është e rëndë dhe kërkon hetim të menjëhershëm e serioz nga Prokurori i Përgjithshëm. Por, kjo mund të arrihet vetëm pas dorëheqjes së Ilir Metës nga posti i numrit dy të vendit dhe dorëzimin e tij para drejtësisë si qytetar i thjeshtë”, ka shtuar Tabaku.

Top Channel