Dekriminalizimi, opozita depoziton në Kuvend projektligjin

04/09/2015 12:50

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për dekriminalizimin. Oerd Bylykbashi, deklaroi se vullneti i opozitës për dekriminalizimin nuk do të ndalet nga mungesa e vullnetit e Edi Ramës dhe Ilir Metës.

“Ky ligj i hap rrugën largimit të menjëhershëm të kriminelëve nga parlamenti, pushteti vendor dhe çdo funksion publik dhe ndalon kandidimin e tyre në të ardhmen. Ky veprim konkretizon aksionin dy-vjeçar moral dhe politik te Partisë Demokratike kundër penetrimit dhe kapjes së shtetit nga krimi në marreveshje me krerët e kësaj mazhorance. Vullneti i opozitës për dekriminalizim nuk mund të ndalet nga mungesa e vullnetit e Ramës dhe Metës. Qytetarët shqiptarë nuk mund të mbajnë në kurriz njollën e turpit që i ka vënë pakti i kësaj mazhorance me krimin. Shqiptarët meritojnë një pushtet publik të pastër dhe të denjë. Është koha për Kuvendin ta votojë këto ligje pa asnjë vonesë dhe pretekst dhe t’ia heqë njollën e turpit shqiptarëve”, tha Bylykbashi.

Në fund të korrikut, Partia Demokratike bëri publike platformën e saj për dekriminalizimin, që bazohet në raportin e Komisionit të Venecias dhe mbi një proces të ngjashëm të ndodhur në Itali kundër mafias, një proces i njohur si ligji “severino”.

Top Channel