Leskaj në Nju Jork: Shqipëria e angazhuar për demokracinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm

03/09/2015 00:00

Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ka marrë pjesë në Konferencën e 4-t Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve në selinë e OKB-së në Nju Jork. Gjatë fjalës së saj, znj. Leskaj tha se Kuvendi shqiptar sot është më i hapur, më gjithëpërfshirës, duke e konsideruar transparencën dhe mbikqyrjen si thelbësore për një demokraci funksionale.

“Parë në tre dimensione, atë të procesit legjislativ, rolit mbikëqyrës dhe përfaqësimit të duhur politik, Kuvendi i Shqipërisë ka realizuar një transformim rrënjësor në përqasjen e tij, duke qenë sot më i hapur, më gjithëpërfshirës, dhe duke e konsideruar transparencën dhe mbikëqyrjen si thelbësore për një demokraci funksionale”, është shprehur znj. Leskaj.

Nënkryetarja e Kuvendit nënvizoi se demokracia nuk mund të jetë kurrë funksionale nëse gjysma e shoqërisë është e nën përfaqësuar në vendimmarrje dhe se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa një proces përfshirës për të dyja gjinitë, si për gratë ashtu edhe për burrat. Demokratizimi, vijoi Leskaj, është një proces i vazhdueshëm ku Shqipëria mbetet tërësisht e përkushtuar të bëjë maksimumin e saj.

Në kuadër të kësaj konference, znj. Leskaj zhvilloi takime të veçanta me kryetarin e Parlamentit të Suedisë Urban Ahlin, atë të Kroacisë Josip Leko, të Serbisë Maja Gojkovic, Kryetarin e Dhomës së Ulët të Mbretërisë së Bashkuar John Bercow, kryetarin e Parlamentit të Norvegjisë Olemic Thommessen, atë të Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit Ogtay Asadov si dhe me përfaqësues të lartë të PNUD dhe UNFPA, përkatësisht agjencitë e zhvillimit dhe të popullsisë së Kombeve të Bashkuara.

Top Channel