Basha: Prokuroria të hetojë Metën për ryshfet. Faktet, të publikuara

03/09/2015 00:00

Për herë të dytë brenda një viti, Partia Demokratike e vendos Ilir Metën nën shënjestër. Tani, shkak është bërë publikimi – nga agjencia investigative e lajmeve BIRN – i lajmit për përfshirjen e kryetarit të Kuvendit në çështje korruptive.

“Jam sot këtu, për t’i kërkuar prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, të nisë një hetim të shpejtë e serioz ndaj Ilir Metës, i cili akuzohet se ka marrë ryshfet nga kompania DIA, kompani që ishte kontraktuar nga CEZ, nën ndikimin e Ilir Metës, për mbledhjen e borxheve të energjisë”, tha Basha.

Lulzim Basha i bëri jehonë këtij lajmi, që bazohet në raportin e Zyrës Avokatore, që mbron interesat e qeverisë shqiptare në Arbitrazh.

“Avokatët e huaj të qeverisë shqiptare, që po mbrojnë çështjen e OSHEE-së në Arbitrazh, kanë deklaruar se kanë prova, që Ilir Meta ka marrë ryshfet nga kompania e mikut të tij, Ismailaj, person që gjendet aktualisht nën arrest për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion. Kompania DIA e Ismailajt u krijua enkas për këtë biznes, për të mbledhur borxhet e CEZ-it, e sipas Agjencisë së njohur BIRN, me lobimin e drejtpërdrejtë të Ilir Metës, i cili shkoi edhe në Pragë, në zyrat qendrore të kompanisë çeke, për të ndikuar në kontraktimin e firmës në fjalë. Avokatët e qeverisë shqiptare kanë zbuluar se, firma e mikut të kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën”, shtoi më tej Lulzim Basha.

Kreu i opozitës citoi raportin edhe me një përkufizim tjetër.

“Siç shprehet avokatja e qeverisë shqiptare, Clifford Chance, hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri”, theksoi kreu i PD-së.

Kjo skemë, nëse ka ndodhur, është e kohës kur Ilir Meta bashkëqeveriste me Partinë Demokratike dhe, deri në 2011-n, kur u publikua video e Dritan Priftit, ai mbajti në qeverinë “Berisha” postin e zëvendëskryeministrit, një herë si ministër i Jashtëm dhe një herë si ministër i Ekonomisë, derisa dha dorëheqjen për të mos pasur poste qeveritare, gjatë hetimit në Gjykatën e Lartë. Por, pavarësisht se bëhet fjalë për një skemë, të dyshuar se ka ndodhur gjatë kohës kur Lulzim Basha mbante postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë “Berisha”, e të denoncuar tani nga avokati i paguar prej qeverisë “Rama”, kreu i opozitës nuk i ndali akuzat.

“Korrupsioni, marrja e ryshfetit, përvetësimi i miliona eurove janë kthyer në norma sjelljeje të Ilir Metës dhe Edi Ramës, janë bërë zakone të tyre. Por kjo është e papranueshme për ne dhe për qytetarët shqiptarë. Ne nuk do të lejojmë, që korrupsioni e ryshfeti të sundojnë vendin”, deklaroi Lulzim Basha.

Ajo që ra në sy, në deklaratën e shkurtër të kreut të opozitës, ishte gjuha e ashpër politike kundër ish-aleatit Ilir Meta. Jo vetëm duke i kërkuar dorëheqjen për zbardhjen e së vërtetës, por edhe duke përdorur të njëjtën gjuhë, që Partia Socialiste përdorte kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës gjatë procesit në Gjykatën e Lartë, i cili është i vetmi proces hetimor që ka pasur kreu i LSI-së.

“Ilir Meta ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë më parë – duke ndikuar hetimet, – për akuza shumë të rënda, e duke i paracaktuar konkluzionet e hetimit me pushtetin e tij. Ndaj, Partia Demokratike dhe unë kërkojmë sot dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës nga posti i tij, dorëzimin para drejtësisë pa imunitet, pa pushtetin e numrit dy të vendit. Largimi i tij nga detyra është një parakusht, që çështja të zbardhet plotësisht. Të shkojë para drejtësisë e të japë llogari për akuzat, si qytetar i thjeshtë. Barazia para ligjit do të arrihet me çdo çmim dhe drejtësia do të vendoset me çdo mjet. E nëse Ilir Meta dhe ortaku i tij, Edi Rama, do të tentojnë sërish manipulimin, atëherë do të përballen me forcën e qytetarëve të bashkuar”, përmbylli deklaratën Basha.

Top Channel