Akuzat për trafikun e drogës, MPB: PD, zëdhënëse e një ish-zyrtari në kërkim

03/09/2015 00:00

Ministria e Brendshme ka reaguar ndaj deklaratës së Partisë Demokratike. Në një njoftim për mediat, ministria deklaron se partia kryesore e opozitës po kthehet në një zëdhënëse e një ish-zyrtari të shpallur në kërkim, i cili po gjykohet për dekonspirim të aksioneve të Policisë së shtetit, gjatë kohës që ishte në detyrë.

“Shprehim jo pa keqardhje faktin, që Partia kryesore e opozitës të shndërrohet në një zëdhënëse të një ish-zyrtari të shpallur në kërkim, i cili po gjykohet për dekonspirim të aksioneve të Policisë së Shtetit gjatë kohës që ishte në detyrë. Ky nivel mund të jetë i denjë për lexuesin e saj, por nuk mund të jetë qëndrimi i opozitës, që zgjedh të bëhet palë me një person në kërkim, të arrestuar për dekonsipirim të aksioneve të policisë, dhe refuzon të mbështesë, qoftë edhe me heshtje, punën e madhe të Policisë dhe partnerëve në luftën e përditshme kundër krimit, paligjshmërisë dhe informalitetit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

MPB vijon më tej se e vetmja trashëgimi e qeverisë së kaluar janë hartat dhe fotografitë të ofruara nga policia italiane. Bashkë me policinë, vijon deklarata, çrënjosëm konceptin e zonave të paprekshme, të kthyera në “parajsa” të lulzimit të hashashit.

Top Channel