Kosovë, Jashari pret homologun Totozani. Në fokus bashkëpunimi edhe më i thellë

02/09/2015 00:00

Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani zhvilloi dje në Prishtinë, një takim me homologun e tij kosovar, Hilmi Jashari. Ky ishte takimi i parë zyrtar, që zhvillon Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, që nga mandatimi i tij më 3 korrik 2015.

Totozani përgëzoi Jasharin për zgjedhjen në krye të Institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë dhe shfaqi gatishmërinë për bashkëpunimin dypalësh, duke pasur në fokus ndjekjen e problematikave të qytetarëve respektivë në të dyja vendet tona, si dhe shkëmbimin e eksperiencave, veçanërisht në lidhje me punën e Mekanizmit Kombëtar Parandalues të Torturës.

Homologët nënvizuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit edhe në planin rajonal e atë ndërkombëtar. Avokati i Popullit Totozani shprehu angazhimin për të mbështetur përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës në organizmat dhe rrjetet ndërkombëtare të institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut.

Duke marrë parasysh rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit mes institucioneve të Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile, të dy palët ranë dakord për zhvillimin së afërmi të një auditoriumi të përbashkët në qytetin e Kukësit, me organizma të shoqërisë civile nga Shqipëria dhe Kosova.

Nga ana e tij, Avokati i Popullit në Kosovë, Jashari vlerësoi dhe shprehu mbështetjen për nismën rajonale të homologut nga Shqipëria, për të krijuar një platformë të bashkërendimit të institucioneve të “Ombudsman”-ëve në Ballkanin Perëndimor, në angazhimet e tyre në përgjigje të krizës së emigracionit.

Nisma rajonale synon të kontribuojë në sigurimin e respektimit të të drejtave të njeriut për emigrantët, të cilët tranzitojnë vendet e rajonit, por edhe mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve azilkërkues nga rajoni, të cilët kthehen nga vendet e Bashkimit Europian në vendet e tyre të origjinës.

Në përfundim të takimit, Totozani ftoi për një vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij kosovar, Jashari.

Top Channel