Fiks Fare, e vërteta e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi

02/09/2015 00:00

Dy javë më parë, në publik shpërtheu një debat që lindi pas shembjes së Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi. Debati tejkaloi kufijtë e Shqipërisë dhe në të u përfshi edhe Greqia.

Ministria e Jashtme greke shkoi aq larg sa të krahasonte shembjen e kësaj kishe me të njëjtat veprime të ISIS-it në Lindjen e Mesme. Kjo pasoi deklarata dhe kundërdeklarata mes Tiranës dhe Athinës. Ministria e Jashtme shqiptare dhe kryeministri Rama i cilësuan deklaratat e Athinës si ndërhyrje në punët e brendshme. Por përtej këtij debati, cila është e vërteta e kësaj kishe.

Fiks Fare udhëtoi për në Dhërmi për të mësuar më shumë nga banorët, prifti, por edhe historianët dhe njohësit e së vërtetës historike mbi këtë kishë.

Kisha ishte ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të vjetër të shembur nga regjimi komunist. Kisha e vjetër i përkiste shekullit të 16-të dhe historianët besojnë se është ndërtuar nga murg katolik, i dërguar i Papës.

Pas verifikimit të dokumentacioneve, Inspektoriati Ndërtimor Vendor i Bashkisë së Himarës ndërhyu duke e shembur godinën e ndërtuar pas viteve ’90 për t’i hapur rrugë ringrijtes së kishës ashtu siç ka qenë para se të prishej nga regjimi komunist.

Kreu i INUV-it të Himarës, Aleks Dedi thotë se objekti që është prishur ngjasonte më shumë me një stallë dhe jo një kishë.

“Ndërtimi është ngritur në vitin 1996. Është një ndërtim pa leje, është ndërtuar mbi konturet dhe themelet e vjetra të Kishës së Shën Thanasit. Ne si inspektoriat kemi bërë prishjen në bazë të kërkesës që kanë bërë arkeologët që janë duke bërë kërkimet mbi themelet dhe konturet e Kishës së Vjetër të Shën Thanasit, që do të ndërtohet në identitetin e saj. Unë si ortodoks mund t’u them që nuk kemi vënë dorë mbi kishë, por kemi prishur një stallë. Ajo ishte e ndërtuar me blloqe betoni, me një soletë, kryqin e kishte me hekur dhe e shtruar me pllaka, ikonat në tokë. Ne nuk kemi prishur kishë, por nuk mund të lejojmë që kishat të ndërtohen si t’i dojë qejfi njërit apo tjetrit”, thotë Aleks Dedi, kreu i Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë së Himarës.

Por prifti i zonës ndaj një tjetër mendim.

“Kjo kishë ka qenë e vjetër dhe është rrënuar në vitin 1973 nga sistemi i asaj kohe. Jemi mbledhur këtu të ruajmë kishën tonë, është apo jo kasolle, ajo është e jona”, thotë ai.

Tjetër mendim nga prifti kanë historianët e zonës, e për më tepër, vetë vëllai i priftit, historiani Fatos Bixhili.

“Kisha e Shën Thanasit  është ndërtuar e para në Dhërmi nga unitët si vepër e tyre. Aty është bërë edhe mësimi fillestar i përgatitjes së prifterinjëve për Dioqezën e Himarës që varej nga Durrësi. Kisha ishte 15 metra e gjatë, dhe 5 metra e gjerë. Unë e quaj bunker mbitokësor dhe jo kishë atë që ishte. Të rindërtohet në dimensionet e një kishe serioze dhe me gjitha të tjerat”, thotë Fato Bixhili, vëllai i priftit të Kishës së Shën Thanasit.

Top Channel