Aksioni i AMA-s kundër piraterisë, gjobë dhe ndjekje penale një subjekti

02/09/2015 00:00

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka ushtruar një inspektim në kryeqytet në lidhje me zbatimin e ligjshmërisë të subjekteve që operojnë në këtë treg.

Gjatë kontrolleve u gjet se shoqëria FIBERNET Sh.P.K. ofronte shërbime audiovizive përmes shpërndarjes së paketave televizive për abonentët, pa autorizimin përkatës.

Inspektorët e AMA-s u përpoqën të vepronin sipas përcaktimeve ligjore, me bllokimin e pajisjeve të instaluara për ofrimin e këtij shërbimi të paautorizuar, por  hasën në kundërshtimin e administratorit të shoqërisë, Aldin Gjubravija.

Ky i fundit pengoi ndërhyrjet në ambientin ku ishin të instaluara pajisjet, duke mos i lejuar inspektorët të kryenin detyrën. Në këto kushte Autoriteti Mediave Audiovizivve, bazuar në ligjet në fuqi ka marrë masën e ndëshkimit me gjobë në masën 10.000.000 lekë ndaj shoqërisë FIBERNET sh.p.k. për ofrimin në mënyrë të kundërligjshme, pa autorizim nga AMA, të shërbimeve audiovizive.

Gjithashtu ndaj shoqërisë FIBERNET sh.pk. është bërë kallëzim penal për transmetime të kundërligjshme dhe për “Riprodhimim pa të drejtë i veprës së tjetrit”, parashikuar nga neni 149 i Kodit Penal.

Ndërkohë, mësohet se ndaj administratorit të shoqërisë, Aldin Gjubravija është bërë edhe kallëzim penal për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, të parashikuar nga neni 235 i Kodit Penal.

Ky nuk është aksioni i parë i ndërmarrë nga AMA sa i përket subjekteve që operojnë në treg në mënyrë të kundraligjshme. Verifikimi ka nisur nga transmetimet kabllore duke bllokuar disa pika pirate në zona te ndryshme të vendit.

Top Channel