Tri net për festën e Pezës, Veliaj: Të promovojmë burimet e kësaj zone

26/08/2015 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur përgatitjet për festën e Pezës, që do të zhvillohet më 16 shtator. Por kjo festë, këtë vit do të shfrytëzohet edhe si një mundësi për të promovuar potencialet e zonës.

Sipas kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, ka nisur puna për riparimin e varrezave të dëshmorëve, lapidarit dhe shtëpisë muze.

“U kam kërkuar ndërmarrjeve të bashkisë, i kërkoj edhe administratorit, që ne të fillojmë urgjentisht riparimin e varrezave të dëshmorëve, të lapidarit dhe shtëpive muze. Një komb, që e harron historinë e vet, është i destinuar të përsërisë gabimet e së kaluarës. Ata njerëz, që dhanë jetën në një kohë të vështirë për Shqipërinë, ishin baballarë të dikujt, gjyshër të dikujt tjetër, ishin gjaku i këtij vendi. Ndaj dhe këtë herë duhet të sjellim tërësisht një standard të ri në mënyrën sesi trajtohen ditët dhe festat e shënuara kombëtare”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Festa e Pezës, këtë vit nuk do të festohet vetëm në një ditë, por për 3 ditë me radhë, ku ndër të tjera do të organizohen aktivitete argëtuese për të rinjtë.

“Ne kemi vendosur që, këtë herë, festën e Pezës të mos ta bëjmë vetëm në një ditë, më 16 shtator, por të kemi 3-4 ditë përpara, gjatë të cilave të fillojnë aktivitetet me një treg fermerësh, shitje të produkteve bujqësore të zonës, promovim të këtyre produkteve, të ftojmë njerëz nga Tirana të njohin edhe këtë pjesë të kryeqytetit, pra Pezën. Duam gjithashtu të ketë shumë aktivitete për të rinj, të ketë muzikë, ndaj dhe kemi vendosur që aktivitetet në Pezë ta markojnë Pezën si kopshti i Tiranës, edhe për efekte shlodhëse e krijuese”, tha më tej Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj ka prezantuar paraditen e së mërkurës administratorin e njësisë Pezë, Besmir Kola.

Top Channel