Informaliteti në shëndetësi, kontroll edhe farmacive dhe klinikave

25/08/2015 00:00

Operacionit të qeverisë në luftë kundër informalitetit nuk do t’i shpëtojë as tregu farmaceutik. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj në një konferencë për mediat, deklaroi se strukturat në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, në bashkëpunim me organet fiskale do të kontrollojnë lëshimin e faturave tatimore në farmaci dhe sidomos në klinkat dentare dhe subjektet që tregtojnë pajisje mjekësore.

“Ne jemi plotësisht të angazhuar për të luftuar me çdo mundësi informalitetin edhe në këtë fushë. Nëse qytetarët blejnë një bar, apo bëjnë një pagesë për një shërbim shëndetësor, pjesë e pagesës së tyre është edhe sasia e parave që duhet të shkojë nga privati në arkën e shtetit. Qytetarët e paguajnë këtë, por jo të gjithë privatët e çojnë këtë tek arka e shtetit. Prandaj duhet të sigurohemi që të gjithë pacientët, që për barnat apo shërbimin mjekësor që marrin në treg, të marrin kuponin tatimor dhe vetëm kështu qeveria do të mund të ndërtojë më shumë spitale dhe të ofrojë shërbim më të mirë”, tha Beqaj.

Ministri Beqaj vuri theksin në sigurinë e pacientit, ndërkohë që tha se në sajë të reformës së ndërmarrë është rritur ndjeshëm kontrolli ndaj barnave përsa kohë ka një rritje me rreth 15 përqind të vendosjes së pullave tek barnat në 7-mujorin e parë të këtij viti krahasur me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Ana tjetër e medaljes ka të bëjë sigurinë e konsumatorit, posaçërisht të pacientit. Barnat dhe shërbimet e ofruara në mënyrë informale nuk rrezikojnë vetëm gropën në arkën e shtetit, ato rrezikojnë shëndetin dhe jetën e pacientit. Shmangia e rrugëve normale dhe të kontrolluara, rrit rrezikun e përdorimit të barnave të pakontrolluara dhe rrezikun e humbjes së efektshmërisë nëse ato tregtohen jashtë kontrollit. Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një reformë të plotë në tregun e barnave, frytet e së cilës janë të ndjeshme të të prekshme për këdo. Në dy vjet janë regjistruar rreth 500 barna të reja, duke zgjeruar mundësinë e kurimit për pacientët shqiptarë. Kjo ilustrohet edhe me numrin në rritje të përdorimit të pullave të kontrollit të barnave të lëshuara nga agjencia e barnave”, deklaroi Beqja.

Ndonëse operacioni kundër informalitetit nuk kryesohet nga Ministria e Shëndetësisë, por do të mbështetet prej saj, në të do të përfshihen Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

Top Channel