Do ndërtohet kisha e vjetër e Dhërmiut, Rama: Pjesë e trashëgimisë kombëtare

25/08/2015 00:00

Ndërtesa aktuale, që shërben si kishë në Dhërmi, do të prishet për t’i hapur rrugën ndërtimit të saj ashtu siç ka qenë para prishjes prej diktaturës.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale dy fotografi, njëra që tregon kishën para se ajo të prishej nga regjimi komunist dhe tjetra ndërtesën aktuale.

“Kisha e vjetër e Dhërmiut që do të rilindë në emër të trashëgimisë kombëtare dhe garazhi pa leje që e quajnë kishë”, shkruan Rama, duke ftuar qytetarët që të kuptojnë ndryshimin mes ndërtesës aktuale dhe asaj që synohet të ngrihet si pjesë e trashëgimisë kombëtare.

Ndërhyrja e INUK-ut në kishën e Dhërmiut ka shkaktuar debat këto ditë. Banorët e zonës kundërshtojnë ndërhyrjen, ndërkohë që reagime ka pasur edhe nga Athina.

Ministria e Jashtme greke tha se “largimi i dhunshëm i besimtarëve nga Kisha e Shën Thanasit, prej punonjësve të Bashkisë së Himarës, heqja e simboleve fetare dhe e sendeve të shenjta prej kishës, si dhe dëmtimi i rëndë i kësaj godine, përbëjnë një akt të dënueshëm, pavarësisht argumentave juridikë të kësaj bashkie, dhe natyrisht nuk tregojnë imazh pozitiv të një vendi që aspiron të bëhet anëtar i familjes europiane”.

Kjo deklaratë prodhoi kundërdeklaratën e diplomacisë shqiptare, që e cilësoi reagimin e palës greke si të nxituar.

“Shqipëria përkujdeset të sigurojë zbatimin e ligjit në tërësinë dhe pacenueshmërinë e tij. Në raport me bashkësitë fetare, po ashtu edhe në raport me parandalimin e çfarëdolloj informaliteti dhe dallimin e tij nga shfrytëzimi korrekt i pronës private, në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe aktet e tjera ndërkombëtare në të cilët Shqipëria aderon”, deklaroi Ministria e Jashtme shqiptare.

Edhe kryeministri Edi Rama, gjatë pyetje-përgjigjeve që organizoi në rrjetet sociale ditën e hënë, mbështeti qëndrimin për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

“E bënin shpesh në të shkuarën, e bëjnë më rrallë. Duan ende kohë, si duket, që ta kuptojnë se Shqipëria s’pranon më tutelë”, thotë Rama.

FOTO GALERI
2/2
Ndërtesa aktuale, e ngritur mbi rrënojat e kishës së vjetër

Top Channel