Polici-OSHEE, 47 raste vjedhjeje; 24 të arrestuar dhe 8 të shpallur në kërkim

23/08/2015 00:00

Operacioni i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) gjatë javës së fundit ka çuar në arrestimin e 24 personave, të akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike, ndërsa janë evidentuar 47 lidhje të paligjshme në total.

Sipas komunikatës së përjavshme të Policisë së Shtetit mbi këtë aksion, gjatë kësaj jave janë kryer kontrolle të përbashkëta me OSHEE-në në 5109 raste, gjatë të cilave janë ndërprerë 888 lidhje të abonentëve debitorë si dhe janë evidentuar 47 shkelës ligji, si pasojë e lidhjeve të paligjshme.

Veç 24 të arrestuarve në flagrancë, janë shpallur në kërkim 8 persona dhe ndiqen penalisht në gjendje të lirë 15 të tjerë.

Policia e Shtetit dhe OSHEE, siç kanë njoftuar prej javësh tashmë, janë të vendosur për vazhdimin e këtij aksioni deri në fund, si dhe për të çuar para drejtësisë të gjithë shkelësit e ligjit, qofshin këta individë, përfaqësues biznesesh apo edhe punonjës të OSHEE-së.

Top Channel