Një udhëtim përgjatë “Egnatias” së lashtë, nga studentë e pedagogë të Venecias

23/08/2015 00:00

Një grup studentësh dhe pedagogësh nga Universiteti i Venecias në Itali, prej 5 ditësh kanë udhëtuar në këmbë përgjatë rrugës “Egnatia”, për t’u njohur nga afër me të dhe për të rivitalizuar një pjesë të rëndësishme të historisë së saj.

Ata synojnë zhvillimin e projekteve që mund ta bëjnë këtë rrugë tërheqëse për turistët, projekte që synojnë t’i konkretizojnë të bashkëpunim me qeveritë dhe pushtetet vendore, ku kjo rrugë kalon.

Mbrëmjen e së shtunës, ata u ndalën në qytetin e Elbasanit, ku njohën disa nga objektet e rëndësishme historike që shtrihen përgjatë kësaj rruge. Në kalanë e qytetit, grupi i “udhëtarëve të Universitetit të Venecias” u prit nga kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, i cili i njohu ata me projektet që ka qeveria për rivitalizimin e kësaj rruge.

Profesorët e Universitetit të Venecias kërkuan nga kryetari i Bashkisë mundësinë për të bashkëpunuar me projekte të përbashkëta.

“Ne duam të kuptojmë nëse qeveria shqiptare ka synim të riprojektojë rrugën, jo vetëm për ta bërë atë të përshkueshme, sepse aktualisht është shumë pak e kalueshme. Ne kemi humbur 3 herë gjatë rrugëtimit tonë, sepse kjo rrugë ka nevojë për sinjalistikë. Por duam të dimë edhe nëse ju, politikanët, synoni të rikuperoni të gjitha vlerat mjedisore dhe historike që janë përgjatë saj”.

Universiteti i Venecias, Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit, prej vitesh po përshkon kalimet historike me synimin për të hartuar projekte, që do të ndihmojnë në rivitalizimin dhe zhvillimin e tyre. Sipas tyre, rikthimi i vlerave historike, kulturore e arkitekturore do të çojnë në një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe të zonave e popujve, që shtrihen në këto kalime historike.

Ata kanë zgjedhur rrugëtimin në këmbë për t’i prekur këto zona me qetësi dhe për t’u njohur nga afër me vendasit. Rrugëtimi i tyre do të vazhdojë drejt Greqisë për të mbërritur në Selanik.

Top Channel