Djali i Holbrooke, në Kosovë për të promovuar filmin “The Diplomat”

19/08/2015 00:00

David Holbrooke, djali i diplomatit të ndjerë amerikan, Richard Holbrook, ka qëndruar për një vizitë në Kosovë, e me këtë rast ka promovuar të martën filmin “The Diplomat”, kushtuar karrierës dhe trashëgimisë së babait të tij.

Ai ka vizituar komunën e Vitisë, ku është ngritur busti i babait të tij në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në Kosovë, për të cilin David Holbrook ka deklaruar se ka përjetuar një moment emocional si për të edhe për familjen e tij, ndërsa i ati do të ishte shumë krenar për këtë nderim, që i është bërë nga komuna e Vitisë.

Filmi “The Diplomat” është shfaqur mbrëmjen e së martës në kinemanë Lumbardhi, në Prizren, i cili është ndjekur edhe nga zëvendëskryeministri e ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas njoftimit të këtij të fundit në rrjetin social Facebook.

“Mbrëmë (e martë) rezidenca amerikane u shndërrua në një kinema, ndërsa filmi i shfaqur ishte shumë i veçantë. Së bashku me udhëheqësit e shtetit, mediave dhe miqtë e Richard Holbrooke, ishte i pranishëm edhe djali i diplomatit të ndjerë David, regjisor i filmit ‘The Diplomat’. Richard ishte mik i Kosovës, por diplomat i tërë botës. Paqja në Ballkan qëndron mbi supet e njerëzve të tillë, si i ndjeri Richard Holbrooke”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Top Channel