Veliaj, kontraktorëve: Rikonstruksioni i kopshteve dhe çerdheve, brenda gushtit

18/08/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka kërkuar këtë të martë kontraktorëve që po restaurojnë kopshtet e çerdhet, të përfundojnë të gjitha punimet brenda datës 28 gusht.

Gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e kopshtit nr. 24, kryebashkiaku tha se, çdo institucion arsimor do të jetë gati për të pritur më të vegjëlit e qytetit, “me cilësinë dhe dinjitetin që duhet të ofrojnë objektet publike në qytet”.

“Dua t’u bëj një apel të gjithë kontraktorëve tanë, që ashtu siç bisedova edhe me sipërmarrësin që po rikonstrukton kopshtin nr. 24, brenda datës 28 gusht të përfundojnë punimet në të gjitha objektet arsimore”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se, për kopshtet puna ka nisur dhe tashmë mbetet veçse të përshpejtohet, për të kapur në kohë fillimin e sezonit të ri. Ndaj, ai u ka kërkuar të gjithë kontraktorëve të punojnë edhe me tre turne.

“U kërkoj të gjithë kontraktorëve që të punojnë me tre turne, për t’u siguruar që muaji shtator t’i gjejë familjet e Tiranës me kopshte të reja, ku mund të çojnë fëmijët e tyre, të ndihen të sigurt se janë marrë masat sepse gjatë verës është punuar për të mbajtur hapin e bashkisë së re të Tiranës”, tha Veliaj.

Top Channel