Nishani, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit Albert Vërria

18/08/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani u ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktorit Albert Vërria, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e të hënës.

“Albert Vërria, ky mjeshtër i dramës ka ardhur pranë artdashësve të kinematografisë dhe teatrit me humor, me një mjeshtëri të veçantë artistike duke ditur të përcjellë tek të gjithë emocione të rralla, shpesh përmes realizimit të situatave komike nëpërmjet një interpretimi dramatik.

Artistin e Popullit, Albert Vërrinë, do ta kujtojmë gjithmonë për interpretimin e përsosur të rolit të Xha Sulos tek filmi ‘Kapedani’, por të pashlyera do të mbeten në kujtesën e artdashësve shqiptarë qindra role dhe personazhe që ai, me mjeshtëri, diti të luante në skenën e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Ai ia doli mbanë me mençuri dhe profesionalizëm të lërë shenjën e tij në mbi 100 filma ku të pashlyera do të mbeten emocionet që na ka përcjellë, pa harruar dhe role të arrira në teatër.

Albert Vërrinë do ta kujtojmë gjithmonë buzagaz, jo vetëm për mjeshtërinë mbresëlënëse në interpretimin e roleve të tij, por dhe për gojëtarinë e tij të rrallë dhe trashëgiminë që na ka lënë, për kulturën e qytetarisë dhe të urtësisë që e karakterizonte si njeri”, shprehet Presidenti, në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Top Channel