Kosovë, kreu shqiptar i ISN-së Rakipi paditet për “mashtrim”

31/07/2015 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuza për veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, gjatë kësaj të premteje në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër 3 të pandehurve: Enver Hasani, ish-rektor i Universitetit të Prishtinës; Hakif Veliu, ish-shef i zyrës së Prokurimit në UP; si dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare, nga Tirana.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Hasani, Veliu dhe Rakipi kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës”, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, njoftohet në një komunikatë për shtyp.

Sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë hartuar një kontratë të re, në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale, duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ku në vend të çmimit 12.65 Euro për 1000 fjalë, kanë shënuar çmimin 12.65 Euro për 1000 karaktere. Në këtë mënyrë, të pandehurit i kanë mundësuar Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana një përfitim të kundërligjshëm në shumën prej 70 mijë e 427 Euro.

Detajet e Prokurorisë zbardhin faktet se, kontratën e falsifikuar më datën 13 dhjetor 2008, i pandehuri Enver Hasani e ka dërguar në Tiranë, tek i pandehuri Albert Rakipi, i cili e ka nënshkruar dhe vulosur atë në emër të Institutit.

Duke shfrytëzuar kontratën e falsifikuar, i pandehuri Albert Rakipi, më datën 13 korrik 2009, ka dërguar në Universitetin e Prishtinës faturën për përkthimin e librave, të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere”, në shumën e përgjithshme prej 87 mijë e 541.8 Euro, pagesë të cilën e ka lejuar i pandehuri Hakif Veliu.

Gjithashtu, në datën 02 dhjetor 2009, i pandehuri Albert Rakipi ka dorëzuar në Universitetin e Prishtinës edhe një faturë për përkthimin e 11 librave, të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere”, në një shumë prej 299 mijë e 488.75 Euro, faturë e cila nuk është paguar dhe për të cilën ISN-ja pretendon se UP-ja i ka borxh.

Aktakuza është ngritur nga një prokurore vendase e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila i ka propozuar gjykatës, që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën e kryer penale dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka kërkuar që Instituti për Studime Ndërkombëtare nga Tirana t’ia kompensojë Universitetit të Prishtinës dëmin prej 70 mijë e 427 Euro.

Top Channel