“Deri më tani, gjithçka duket perfekte në këtë fundjavë”. Lewis Hamilton duket i lumtur pas “pole position”-it të siguruar në Çmimin e Madh të Hungarisë, e nënta në 10 gara të zhvilluara këtë sezon për kampionin e botës me Mercedes, si dhe e pesta në karrierën e tij në Hungaroring.
“Këtu kam pasur gjithnjë eksperienca të mira, më pëlqen qyteti dhe pista gjithashtu. Duket si një pistë e vjetër e garave kart”, ka thënë piloti britanik në konferencën për shtyp pas provave zyrtare të së shtunës.
“Ekipi ka bërë një punë të shkëlqyer, mbi të gjitha gjatë kësaj fundjave, ndaj më duhet t’i falenderoj. Megjithatë, tashmë duhet kompletuar e gjithë kjo punë, edhe pse në garë mund të ndodhë gjithçka. Besoj në aftësitë e mia, por edhe te makina që ngas”.
Ndërkaq, shoku i tij i skuadrës dhe rivali i drejtpërdrejtë për titull, Nico Rosberg, duket se ndryshe nga herët e tjera, kur nëpër prova zyrtare është shfaqur më mirë se britaniku, kësaj radhe ka pranuar “humbjen” brenda skuadrës.
“Kam qenë më pranë Hamiltonit gjatë javëve të kaluara? Po, kësaj radhe nuk arrita të gjej ritmin e duhur. Ende nuk i di motivet e problemeve që kam hasur me shpejtësinë e makinës, do t’i ekzaminojmë dhe do të marrim shpjegime, sepse gjërat nuk kanë shkuar siç do të kishim dashur”.
Nga ana tjetër, Vettel është shprehur thuajse i kënaqur. “Vendi i tretë ishte maksimumi që mund të merrnim sot. Të premten kemi pasur një ditë të vështirë, me disa probleme që na kanë penguar, kështu që jam i lumtur që gjatë provave për ‘pole-position’-it arritëm të gjejmë drejtimin e duhur”, shpjegon gjermani i Ferrarit, 4 herë kampion bote me Red Bullin.
“Shpresojmë në një garë të mirë, sepse në këtë pistë mund të ndodhin shumë të papritura. Ndoshta këtë të dielë do të mund të bëjmë ndonjë gjë më shumë kundër Hamiltonit dhe Rosbergut. Do të jetë një garë e vështirë edhe me ata që kemi nga pas, si pilotët e Williamsit apo Red Bullit”, u shpreh Sebastian Vettel.
Top Channel