Bolonja-Specia ishte vetëm një ndeshje miqësore, por duket se tifozët ultras të dy ekipeve kishin hesape të vjetra për të larë dhe kishin vendosur t’i zgjidhnin pikërisht para fillimit të kësaj ndeshje.
Me dhjetëra tifozë të të dyja ekipeve u përleshën mes tyre për rreth 15 minuta, duke lënë edhe disa të plagosur.
Skenat e turpshme të dhunës nisën pak para fillimit të ndeshjes miqësore, e cila ishte parashikuar të zhvillohej në Castelrotto në orën 17:30, ku për të parë këtë takim kishte edhe shumë fëmijë dhe turistë që ndodheshin në këtë zonë.
Tifozët goditën me shkopinj, gurë e çfarë të gjendej rreth e rrotull, palën kundërshtare, duke mos u shqetësuar as nga një numër i vogël i policëve që ishin të pranishëm.
Mediat italiane shkruajnë se ka pasur informacione për përleshje të tifozëve, por duket se organizatorët nuk kishin marrë masat e nevojshme.
Top Channel