AMC, në familjen e “Deutsche Telekom”. Do të quhet “Telekom Albania”

22/07/2015 00:00

Kompania e telefonisë celulare “AMC” bëhet “Telekom Albania”, pas bashkimit të saj me rrjetin e gjerë gjerman të komunikacionit “Deutsche Telekom”.

Duke iu bashkuar pjesës më të madhe të vendeve europiane, ku vepron “Deutsche Telekom”, “T Mobile” përveç rrjetit 4G premtoi ofrimin e një sërë shërbimesh inovative për abonentët e saj.

Në ceremoninë e prezantimit, kryeministri Edi Rama e ka vlerësuar bashkimin me “Deutsche Telekom” si një mundësi e madhe për qytetarët shqiptarë, për të qenë të barabartë me ata europianë.

“Sot ne mund të themi se, Shqipëria bëhet pjesë në kohë reale e një progresi teknologjik, që ka një të mirë të madhe për vendet më të pazhvilluara. Ndërsa aktualisht, T-Mobile po punon për krijimin e një rrjeti të vetëm IP-sh, që rrëzon faktikisht të gjithë kufijtë kombëtarë në Europë. Projekti, që synohet të përfundojë në vitin 2018 është mishërim i esencës së projektit madhështor të Bashkimit Europian, një hapësire komunikimi dhe ndërveprimi, që nuk njeh më asnjë vijë kombëtare dhe që i bën njerëzit të barabartë në të gjitha platformën e komunikimit dhe në mundësitë që u oftohen secilit për ta shfrytëzuar këtë platformë. Pra një Bashkim Europian, ku edhe Shqipëria, falë pranisë së ‘Telekom Albania’-s do të jetë pjesë pa pyetur Komisionin Europian dhe pa pritur që vendet anëtarë të na thonë ‘ejani e bëjuni pjesë e familjes europiane’”, tha kryeministri Rama.

Një sërë ceremonish do të zhvillohen për lancimin zyrtar të “Telekom Albania”, me sloganin “Ne lidhim njerëzit në Europë”.

Top Channel