Tatimet, aksion nëpër plazhe. Kontroll informalitetit në hotele e restorante

21/07/2015 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur nga Vlora një aksion monitorimi për lëshimin e kuponit tatimor dhe informalitetin e hoteleve, restoranteve dhe bareve që punojnë në zonën bregdetare.

I ftuar në programin e mëngjesit “Wake Up”, nëndrejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Flobens Dilaveri ka thënë se inspektorët e terrenit, punonjës të hetimit tatimor dhe forcat e policisë, pjesë e këtij aksioni, do të monitorojnë jo vetëm bizneset e parregullta, por edhe punonjës të administratës tatimore që kanë lejuar abuzime.

“Nga dje, aksioni ka filluar duke pasur në krye drejtoreshën e përgjithshme të Tatimeve. Aksioni synon monitorimin e gjithë zonave të bregdetit, luftën ndaj evazionit fiskal, informalitetit dhe mbi të gjitha synon të godasë jo vetëm bizneset e parregullta dhe të paligjshme, por edhe ata inspektorë tatimorë edhe punonjësit tanë, pjesëtarë të administratës tatimore, që kanë lejuar abuzime të tilla, kanë lejuar që informaliteti të zërë vend”, ka deklaruar Dilaveri.

Dilaveri u ka bërë thirrje klientëve që të kërkojnë kuponin tatimor pranë çdo subjekti, në çdo rast.

“Sa të rrish të shohësh a të është rritur çmimi i birrës nga një market në tjetrin, kërko kuponin tatimor se janë lekët e tua, janë lekët tona. Qytetari po të kërkojë kuponin tatimor do marrë trefish më lirë shërbimin”, ka saktësuar Dilaveri.

Top Channel