Plazhi ranor i Darzezës, shtohen pushuesit por shërbimet mungojnë

21/07/2015 00:00

Një nga plazhet që po frekuentohet masivisht këto ditë është plazhi i Darzezës në Fier. E gjithë zona ka një vije bregdetare prej 15 kilometrash me plazh ranor dhe fare pranë pyjeve me pisha.

Krahasuar me një vit më parë ky plazh po shikon rritje të numrit të pushuesve, megjithëse ka mungesa në infrastrukturë dhe objekte shërbimesh. Plazhi shfrytëzohet kryesisht nga banorët e Fierit dhe zonave përreth dhe duket se është ende i panjohur për turistët.

“Kam zgjedhur ta bëj plazhin me familjen time në Darzezë. Më pëlqen qetësia, deti është i pastër, rëra. Thjesht afër, bukur”, thotë një pushues.

“Kam dy vjet që vij rresht. Më ka pëlqyer si plazh për arsye se është nga plazhet e virgjëra për Shqipërinë, i pashfrytëzuar dhe ka vlera të shumta. Njerëzit këtë vit janë më të shumtë nga viti i kaluar”, thotë një tjetër.

“Është viti i parë që vij këtu në Darzezë, më pëlqen se deti është i pastër, rëra e pastër, qetësi, ambiente familjare ka”, thotë një pushues tjetër.

Numërohen rreth 20 mijë pushues ditorë në këtë plazh që ende vuan mungesën e menaxhimit nga ana e pushtetit vendor dhe veçanërisht pastrimit të vendgrumbullimeve të mbetjeve.

 

Top Channel