Komuniteti Mysliman: Gjykata po na grabit pronat

07/07/2015 00:00

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) paralajmëroi se do të nisë një beteje ligjore sa u takon çështjeve të pronës së këtij institucioni.

Së fundi bëhet fjalë për prona në qendër të Tiranës, prona që sipas KMSH-së, kanë qenë vakëf prej qindra vitesh. Një ndër ta është godina e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, në fillim të “Rrugës së Kavajës”.

“Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë i bëjmë me dije Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë, si dhe mbarë opinionit publik shqiptar, se në këto ditë të shenjta të Ramazanit, kur mbarë bota islame përjeton këtë Muaj të Bekuar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po përballet me një grabitje të madhe, atë të pronës qindra vjeçare vakëf, që ndodhet në qendër të Tiranës, pranë Dhomës së Tregtisë.

Të parët tanë, të urtë dhe besimtarë të denjë myslimanë shqiptarë, krahas xhamive dhe objekteve të ndryshme, kanë lënë vakëfe (prona për bamirësi) në dobi të shoqërisë shqiptare.

Pas shtetëzimit nga sistemi ateisto-komunist, akoma edhe pse ka kaluar një çerek shekulli liri e besimit, si dhe pas një kalvari gjyqesh dhe ndjekjesh të të gjitha formave, individi Ali Pazari në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Xhaferi, duke përdorur format e mashtrimit dhe me ndihmën e trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, me një vendim gjyqësor haptazi në kundërshtim me ligjin dhe provat, kanë grabitur pronën shekullore vakëf të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Institucioni ynë dënon fuqishëm këtë akt të paprecedent dhe ndërkohë ka ndërmarrë të gjitha hapat e duhur ligjorë për ndjekjen e kësaj çështjeje në instancat më të larta të drejtësisë, duke e ankimuar këtë vendim”, thuhet në reagimin e Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, që i bën thirrje Gjykatës së Lartë “të vendosë drejtësi sa më shpejt lidhur me këtë pronë të shenjtë vakëf”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta