Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga të hënën priti në takimin e lamtumirës ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, të cilën e dekoroi me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm, “Ibrahim Rugova”.
Ambasadores në ikje iu dha kjo dekoratë për kontribut të veçantë në ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Presidentja Jahjaga e falënderoi zonjën Jacobson për mbështetjen e vazhdueshme ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe sidomos për përkrahjen e proceseve demokratike që po kalon vendi.
Presidentja vlerësoi gjithashtu miqësinë e ambasadores Jacobson dhe përfaqësimin e denjë të SHBA-së në Prishtinë. Nga ana e saj, diplomatja amerikane e falënderoi kryetaren e shtetit për nderimin dhe e vlerësoi si shumë të veçantë miqësinë me qytetarët e Kosovës.
Ajo gjithashtu vlerësoi rolin dhe angazhimin e Presidentes Jahjaga si faktor uniteti dhe theksoi se “Kosova duhet të vazhdojë të ndërtohet si një shtet demokratik dhe gjithëpërfshirës”.
Top Channel