Rama: Arsimi është prioriteti ynë. Reforma e nisur, e pakthyeshme

02/07/2015 00:00

Nga “Ministeriali i Katërt i Ballkanit Perëndimor” zhvilluar për arsimin në qytetin e Vlorës, kryeministri Edi Rama deklaroi se “arsimi është prioriteti kryesor i qeverisë së tij”.

“Arsimi është prioriteti i parë i një shoqërie, por që ndër vite është trajtuar si i fundit. Arsimi është i rëndësishëm për fëmijët tanë, ndaj ne kemi nisur me vullnet ndërmarrjen e reformave të thella, të cilat do t’i vazhdojmë deri në fund të mandatit tone. Ne kemi marrë hapa të rëndësishëm dhe dua të them se ndjehem me fat që punoj me një ministre që udhëheq reforma të rëndësishme. Gjetëm një sistem me universitete që ishin fabrika diplomash për shitje, ne mbyllëm 18 prej tyre dhe njerëzit e kanë kuptuar, edhe pse nuk ishte e lehtë për mijëra studentë, efekti ka qenë mjaft pozitiv””, tha Rama.

Rama ka theksuar se vendet e rajonit nuk e kanë të lehtë në këtë fushë për shkak të disa faktorëve, siç janë edhe nacionalizmi dhe islami radikal.

“Me gjithë vullnetin e mirë, a munden vendet e rajonit t’ia dalin vetëm në një situatë që nuk është më e mira edhe jashtë hapësirës ku ne jetojmë së bashku. Më se fundi ne arritëm paqen mes nesh, por  tani nuk është Europa në drejtimin e duhur. Mesa duket, është fati ynë të jetojmë me këtë kontradiktë. Për arsye të mungesës së një tradite të vjetër, një papunësie të madhe për të rinjtë, po ashtu edhe për shkak të kërcënimeve me të cilat përballen shoqëritë tona, me rënien e besimit në Europë të të rinjve, me një potencial të madh të nacionalizmit dhe islamit radikal. Këto nuk e bëjnë të lehë të ardhmen dhe na vënë në një situatë të vështirë sa i përket të ardhmes”, deklaroi kryeministri.

Rama shprehu pakënaqësi sesi Europa është duke i trajtuar çështjet e arsimit.

“Jam i kënaqur që Europa është e interesuar për sundimin e ligjit, por nuk jam fare i kënaqur që arsimi nuk duket asgjëkundi në këtë marrëdhënie. Edhe sikur të përmirësojmë rrugët, infrastrukturën, si do të rritemi ne pa arsimin? Njohim shumë vende me infrastrukturë të mirë, por aspak demokratike”, vijoi kreu i Qeverisë.

Top Channel