Zëvendësohet ndriçimi në Tiranë, përmirësohet cilësia dhe rritet kursimi

30/06/2015 00:00

Rrugët kryesore të kryeqyetit do të kenë një ndriçim më cilësor dhe me më pak kosto. Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt pilot për zëvendësimin e 780 ndriçuesve ekzistues me ndriçues “xenon”, çka pritet të përmirësojë ndjeshëm ndriçimin rrugor dhe që kanë një jetëgjatësi dy herë më të lartë se ata aktualë.

“Përparësitë konsistojnë në: e para, në rritjen e ndriçimit. Ka 90 për qind të spektrit të dritës nga 38% që e kishte ndriçuesi i mëparshëm; e dyta është jetëgjatësia e ndriçuesve, që është 40 mijë euro; dhe e treta është ulja e shpenzimit të energjisë.

Ndriçimi i ri kursen 60 për qind më shumë se ndriçuesit e mëparshëm dhe ka një emetim më të ulët gazi.

Ky është një projekt pilot që zbatohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza”, në rrugën “Dritan Hoxha” dhe atë të Durrësit”, ka deklaruar inxhinieri Luan Peti.

Kostoja e ndriçimit publik pritet të ulet me afro 1 milion dollarë në vit. Ky projekt i Bashkisë së Tiranës ishte miratuar në muajin dhjetor të vitit 2014 dhe ka nisur të zbatohet menjëherë pas procesit zgjedhor të 21 Qershorit 2015.

Top Channel