Tregtia Shqipëri-Serbi, shkëmbime 20-25 miliardë lekë në vit. Bilanci anon nga serbët

27/05/2015 00:00

Shqipëria dhe Serbia shkëmbejnë mesatarisht 20 deri në 25 miliardë lekë mallra në vit. Por bilanci është thellësisht në favor të serbëve

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se, vitin e kaluar importet nga Serbia ishin gati 15 herë më të larta se eksportet shqiptare drejt këtij vendi.

Më saktësisht, sipas INSTAT, në vitin 2014 Shqipëria importoi 23.6 miliardë lekë produkte serbe, ndërsa eksportoi drejt këtij vendi vetëm 1.6 miliardë lekë mallra.

Të dhënat tregojnë se produktet kryesore, që Shqipëria blen nga Serbia, janë energjia dhe ushqimet, importet e të cilave vitin e kaluar ishin përkatësisht 9.7 dhe 6.5 miliardë lekë.

Për koincidencë, edhe eksportet më të mëdha të Shqipërisë drejt Serbisë janë pikërisht nga këto dy grupe produktesh, energjia dhe ushqimet, ndonëse në vlera disa herë më të ulëta se importet.

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Serbisë u rritën veçanërisht pas vitit 2006, kur vendet nënshkruan marrëveshjen rajonale të tregtisë së lirë “Cefta”. Por, siç konfirmojnë shifrat, janë kompanitë serbe, ato që kanë përfituar më shumë nga liberalizimi i tregtisë, një fakt ky i lidhur me hendekun e thellë të konkurrueshmërisë që ekziston mes dy ekonomive.

Top Channel