Rama në Durrës: Zgjedhjet, për të zgjidhur hallet e qytetarëve

21/05/2015 00:00

Pas 87 vitesh nga ndërtimi, sheshi qendror i Durrësit tashmë ka një pamje të re. U deshën 18 muaj punë intensive për ta transformuar në një ndër sheshet më tërheqës të gjithë vendin.

Pjesë e qendrës së re është edhe “Monumenti i Dritës”, krijuar nga Ilir Xhixha. Vangjush Dako kandidati të majtës për këtë bashki, gjatë inagurimit tha se “ky është një moment historik për qytetin”.

“Jam i lumtur që kam këtë fat të bëj kaq shumë dhe këtë gjë për qytetin tim. Kjo hapësirë publike e jetës kolektive durrsake ja vlen të investohet. Transformimet e mëdha që kemi filluar në qytetin e Durrësit janë të shumta, por ato i kemi nisur që në vitin 2008 kur kemi projektuar këtë shesh, këtë hapësirë publike. Ne mendojmë se me hapësira të tilla do të zhvillojmë qytetin dhe do të gjenerojmë energji”, u shpreh Dako.

Kryeministri Edi Rama, duke prezantuar kandidatin Dako dhe këshilltarët e majtë, kërkoi nga durrsakët të kuptojnë se këto zgjedhje janë për të zgjidhur hallet e tyre dhe jo hallet e SHQUP-it siç e quan ai opozitën.

“Këto janë zgjedhje për familjen dhe për jetën e familjes në vendin ku banon dhe si të tilla janë zgjedhje që absolutisht kanë vetëm një mundësi zgjidhje, të votoni për Vangjush Dakon, Partinë Socialiste dhe të gjithë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë”, tha Kryeministri.

Rama nga qyteti bregdetar dha edhe këtë mesazh. “Ajo që kemi bërë në këto 18 muaj, e cila është e prekshme në të gjithë territorin e bashkisë së vjetër do të bëhet e prekshme në të gjithë territorin e bashkisë në 4 vitet e ardhshme dhe nuk është asgjë me atë që do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme”, u shpreh Rama.

Top Channel