Ministri Ahmetaj: Ulim TVSH-në për turizmin, rrisim konkurrueshmërinë në rajon

21/05/2015 00:00

Ministri i Turizmit, Arben Ahmetaj, në një takim mbi menaxhimin e sezonalitetit të turizmit, tha se paketa mbështetëse për këtë sektor do të bëjë të mundur uljen e TVSH-së për turizmin, që ka qenë një kërkesë e përsëritur e operatorëve turistikë.

“Në krahasim me konkurrueshmërinë në rajon, kam kërkuar edhe uljen e TVSH-së, që është shumë e debatueshme dhe shumë e vështirë, por besoj e domosdoshme. Do të jetë një betejë pozitive me ministrin e Financave”, tha ministri Arben Ahmetaj.

Një tjetër hap i ndërmarrë nga qeveria, tha Ahmetaj, është kërkesa e bërë Ministrisë së Jashtme për lehtësimin e regjimit të vizave për rreth 12 vende, si Kina, vendet e Lindjes së Mesme, Rusia etj., prej të cilave vendi ka fluks të madh turistësh.

Ndërsa, referuar negociimit me koncesionarin e Aeroportit “Nënë Tereza” për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve, ministri tha se shumë shpejt do t’i hapet rruga funksionimit të të paktën dy aeroporteve të reja.

Top Channel