Banka e Shqipërisë: Pagesa e energjisë uli konsumin

13/05/2015 00:00

Banka e Shqipërisë deklaroi se mbledhja e borxheve të prapambetura të energjisë goditi konsumin e familjeve në tremujorin e katërt të vitit të kaluar.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka Qendrore thotë se pas 4 tremujorësh me rritje, kërkesa e brendshme private u tkurr duke dhënë ndikim negativ në rritjen ekonomike.

Sipas saj, shkaku për rënien ishte pagesa e faturave të prapambetura të energjisë nga familjet dhe zbehja e besimit konsumator. Edhe pse rritja ekonomike në tremujorin e katërt të vitit të kaluar ishte 2.4 për qind, sipas INSTAT, Banka thotë se ajo erdhi nga shpenzimet e qeverisë, ndërsa kërkesa private dha kontribut negativ në rritjen e prodhimit.

Sipas të dhënave zyrtare nga vetë koorporata, vitin e kaluar kompania arkëtoi 100 milionë dollarë më shumë se një vit më parë, mbi 0.7 për qind e prodhimit kombëtar. Por pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave është materializuar në tremujorin e fundit të vitit, kur kompania prezantoi skemën lehtësuese të shlyerjes së detyrimeve, e cila falte 80 për qind të kamatëvonesës mbi borxhin.

Ekspertët e Bankës mendojnë se për të kompensuar këto pagesa familjet mund të jenë detyruar të shkurtojnë shpenzimet e tjera për konsum.

Për këtë vit, Banka e Shqipërisë pret që konsumi të rigjallërohet. Sipas saj, kërkesa e brendshme do të jetë faktori kryesor që do të mbështesë rritjen ekonomike gjatë këtij viti, që vlerësohet se do të jetë më e lartë se ajo e vitit 2014.

Top Channel