Loja me Bin Ladenin, gazetari i “Pulitzer”: E shitën pakistanezët

12/05/2015 00:00

Akuzat janë shpërthyese dhe i japin një tjetër goditje rrëfenjës heroike të misionit të guximshëm dhe vrasjes së njeriut, asokohe më të rrezikshëm të botës, Osama bin Ladenit.

Sipas fituesit të çmimit “Pulitzer”, Seymour Hersh, aksioni, i trumpetuar si suksesi ndoshta më i madh i politikës së jashtme të Barack Obamas gjatë mandatit të parë, nuk ishte aspak një nismë e fshehtë dhe e rrezikshme e Shteteve të Bashkuara, por një operacion i përbashkët me shërbimet ushtarake pakistaneze të inteligjencës.

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë, ashtu siç mund të pritej, erdhi shpejt. Pretendimet se “blici”, që vrau Bin Ladenin nuk ishte mision unilateral i Amerikës, janë kryekëput të pavërteta, do të deklaronte zëdhënësi Ned Price. Shkrimet, që pretendojnë të kundërtën, sipas tij janë të mbushura me pasaktësi dhe përfundime të pabaza.

E megjithatë, artikulli i Hershit ka pasur mjaft jehonë. Në zemër të tij qëndrojnë pretendimet se, Osama bin Laden ka qenë që prej 2006-s nën kontrollin e Pakistanit dhe mbahej në Abotabad me asistencën financiare të Arabisë Saudite.

Zyrtarët e lartë pakistanezë, këmbëngul Hersh, e lejuan “blicin” e komandove amerikanë në kompleks, pasi Uashingtoni zbuloi vendndodhjen e të konsideruarit “sheik të terrorit”, falë një burimi të shërbimeve sekrete dhe jo siç u tha atëherë, përmes marrjes në pyetje të korrierit të shefit të Al Kaedës.

Për atë çfarë ndodhi me Bin Ladenin, publicisti mendon se “de facto” ishte një ekzekutim. Ka qenë pjesë e marrëveshjes, sipas Hersh, që Shtetet e Bashkuara ta njoftonin vrasjen e Bin Ladenit me një javë vonesë dhe të thuhej se, ai kishte gjetur vdekjen nga një sulm me avionë pa pilotë në Afganistan.

Por Obama i doli nga fjala pakistanezëve, pasi njëri prej helikopterëve u rrëzua gjatë operacionit dhe Shtëpia e Bardhë u tremb se fjala do të dilte dhe nuk do ta mbante dot të fshehtë lojën e kopsitur me aq kujdes.

Top Channel