Zhbllokohet borxhi ndaj biznesit, Qeveria rinis shlyerjen pas dy auditeve

07/05/2015 00:00

Qeveria rinis javën që vjen shlyerjen e borxheve të prapambetura ndaj biznesit, pasi procesi ishte bllokuar prej muajsh si pasojë e auditeve të kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar mbi mënyrën se si janë kryer pagesat e detyrimeve deri më tani.

Ministria e Financave thotë se nga 72.6 miliardë lekë detyrime për mallra dhe shërbime publike, apo rimbursim TVSH-je të papaguar nga shteti sipas vlerësimit të “Deloitte and Touche”, deri më tani janë shlyer 50 miliardë lekë. Tjetër zë brenda këtij borxhi, i shuar tashmë, është shuma prej 12.4 miliardë lekësh që institucionet buxhetore i kishin Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për energji të papaguar.

“Në buxhetin e vitit 2015 kemi planifikuar 20 miliardë lekë, 10 miliard lekë janë ekzekutuar tashmë, mbeten për t’u ekzekutuar 10 miliardë të tjera, që janë në proces rakordimi me ministritë dhe institucionet dhe do të bëhen të vlefshme për t’u marrë nga përfituesit”, tha Geraldina Prodani, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Financave.

Ministria e Financave thotë se procesi u është nënshtruar dy auditeve, atij nga Ernest Jank dhe auditit të dytë mbi rimbursimin e TVSH-së nga kompanitë “BDO Albania” dhe “Croatia”, raportet e të cilave vlerësojnë se përgjegjësitë janë përmbushur në mënyrë korrekte, çka i hap rrugë vazhdimit të procesit.

 

Top Channel