Krimet e Rënda ‘kërkojnë’ ministrat dhe deputetët. OPDAT: Jo kryeprokuror politik

06/05/2015 00:00

Pyetjes se si mund të t’i dilet mbanë që drejtësia të ketë rezultate në gjykimin e ministrave dhe deputetëve, i përgjigjet me një propozim krejt ndryshe Gjykata e Krimeve të Rënda.

Siç edhe kërkuan vite më parë kompetenca për gjykimin e korrupsionit tek Krimet e Rënda, sipas kreut të saj, formula edhe në rastin e njerëzve të politikës është që ata të mos gjykohen me juridiksionin fillestar në Gjykatën e Lartë.

“Për të arritur tek ajo që mund të quhet një reformë juridiko-procedurale kushtetuese; kufizimin e juridiksionit fillestar të Gjykatës së Lartë. Duket që është diçka e papërshtatshme tashmë në tërë këto vite dhe kolegët tanë ndërkombëtarë na e kanë këshilluar këtë. S’ka pse të bëhen diferenca sa u takon subjekteve. Diferencat bëhen në kompetenca lëndore te gjykatat, derisa kemi gjykata të specializuara”, deklaroi Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Por nga ana e tij, ish-kreu i njësisë Task Forcë, Dritan Rreshka kërkon që të instalohet teknologjia bashkëkohore në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke shtuar në kod mundësinë që bashkëpunëtori i drejtësisë mos të dënohet fare.

“Ju keni dëgjuar shpesh që hetimet që lidhen me korrupsionin, ose edhe me krimin e organizuar janë hetimet që nuk realizohen me metodat tradicionale të hetimit. Sot, gjithmonë e më shumë, është e nevojshme që instrumentët që përdoren për hetime të krimeve të tilla të jenë të përditësuara, në përputhje me standardet ndërkombëtare, dhe njëkohësisht organi i procedurës duhet të pajiset me instrumentë të tillë që mundësojnë garantimin e provave”, tha Dritan Rreshka, prokuror në Prokurorinë e Tiranës.

Në tryezën për drejtësinë penale u konstatua se kemi një prokurori pa rezultate në hetime, që i nënshtrohet vullnetit të 1-shit, i cili në këtë rast është Prokurori i Përgjithshëm, e që nga ana tjetër shikohet si i zgjedhur politikisht.

John Simbert, specialist i OPDAT: Prokurori i Përgjithshëm emërohet përmes një procesi politik dhe kjo ka çuar në mungesën e pavarësisë. Nëse shohim standardet e tjera dhe çfarë ka thënë Komisioni i Venecias flitet jo vetëm për pavarësi të jashtme, por edhe të brendshme. Duhet parë nëse Prokurori i Përgjithshëm kalon nëpërmjet këtij procesi politik, apo për zgjedhjen e tij shikohen meritat dhe kredencialet e tij? Nga ana tjetër, në vendet e rajonit edhe këshilli është një organ që jo vetëm këshillon, por edhe disiplinon karrierën e prokurorëve. Por nëse do të shohim sistemin këtu, nuk ka pavarësi të brendshme, dhe problemi që ngrihet këtu është; cili është roli i Këshillit të Prokurorisë në emërim dhe promovim? A është ky këshill i hapur?”.

Arben Rakipi, ish-Prokuror i Përgjithshëm: Të jepet pafajësi, shyqyr që kemi gjykatat që japin pafajësi, por në këndvështrimin e prokurorit është skandaloze që të marrë pafajësi. Duhet të gjejmë mekanizma që përgjegjësinë e tij ta identifikojmë, siç identifikojmë përgjegjësinë e atyre oficerëve të policisë që në shumë raste neglizhojnë hetimet.

Artan Hoxha, ekspert: Konstatoj që nuk funksionon mirë raporti mes prokurorisë dhe policisë. Faza më e dobët e hetimit, është hetimi paraprak.

Besnik Muçi, prokuror i Krimeve të Rënda: Një pjesë e rasteve shumë të rëndësishme, shpesh kanë dështuar në hetim për arsye të ndryshme, por në mendimin tim arsyeja themelore është mungesa e sinergjisë mes Policisë Gjyqësore, institucioneve të tjera të hetimit dhe Prokurorisë për të pasur një hetim me rezultate.

Henrik Ligori, prokuror i Krimeve të Rënda: Lëvizja e shpeshtë e prokurorëve dëmton hetimet e filluara dhe nuk e lidh fatin e karrierës së oficerit të Policisë Gjyqësore me rezultatin e hetimeve të kryera. Jemi të gjithë dëshmitarë që në shumicën e rasteve, policia mjaftohet me njoftimin e një ngjarjeje, zbulimin e autorëve dhe këtu merr fund gjithçka. Gjithçka transferohet në zyrën e prokurorit.

 

Top Channel