Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, në raportin e së martës ka njoftuar për rastin e plagosjes me thikë të serbit Zoran Kostiç, nga fshati Pasjan i Gjilanit, duke hedhur poshtë pohimet e medias serbe, se incidentin e kanë shkaktuar shqiptarët, me qëllim frikësimin e popullatës serbe të këtij rajoni.
Ngjarja, sipas policisë ka ndodhur për shkak të një parakalimi në qarkullimin rrugor.
“Është arrestuar i dyshuari, një shtetas me kombësi shqiptare, pasi ka goditur me thikë një shtetas serb të Kosovës. Ngjarja ka ndodhur për shkak të një parakalimi në trafik. Vlen të përmendet se ngjarja nuk ka lidhje me problemet ndëretnike, por ka ndodhur spontanisht. Lidhur me ngjarjen është njoftuar prokurori, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në paraburgim”, thuhet në raportin e plotë të ministrisë.
Ndërsa ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariç ka dënuar sulmin ndaj serbit nga fshati Pasjan dhe përshëndet reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës, që ka arrestuar njërin prej agresorëve të mundshëm.
“Dënoj ashpër sulmin e mbrëmshëm, i cili ndodhi në një fshat afër Gjilanit. Këto janë sulme, që në këto momente për Kosovën nuk janë të nevojshme. Bashkëjetesa me shumë komunitete etnike është realiteti ynë. Sulmet apo tensionet, pa marrë parasysh se nga ana e kujt janë kryer, absolutisht janë të papranueshme. E përshëndes reagimin e shpejtë të organeve të Rendit, të cilët kanë arrestuar njërin nga agresorët e dyshuar, dhe apeloj që edhe agresori i dytë të arrestohet dhe të dalë para drejtësisë. Kjo praktikë do të forcojë besimin e qytetarëve, punën e organeve të Rendit dhe do të krijojë kushte për një jetë sa më të sigurt, të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë ministri Mariç.
Top Channel