Mustafa: Makinat zyrtare, jo më shfrytëzim për festa apo pushimet e fundjavës

04/05/2015 00:00

Gjatë mbledhjes së qeverisë këtë të hënë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndër të tjera ka kërkuar prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, të ndalojë përdorimin e të gjitha makinave zyrtare gjatë ditëve të festave dhe pushimeve të fundjavës.

“Ka kritika edhe në media, por kemi edhe argumente të njerëzve tanë, të cilët kanë qenë këtyre ditëve në Durrës apo vende tw tjera, se atje po shkohet me makina qeveritare dhe me to po bëhen pushime jashtë vendit. Ne duhet të marrim masa, që kjo të mos ndodhë. Nuk është politikë e qeverisë, që dikujt t’i lejohet të marrw makinën zyrtare dhe të shkojë jashtë vendit për pushime. Unë do të kërkoj nga Ministria e Punëve të Brendshme zbatimin e këtij urdhri”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Por kryeministri Mustafa nuk foli për masat, që mund të merren ndaj atyre që keqpërdorin mjetet shtetërore. Zëdhënësi i qeverisë, Arban Abrashi tha se fillimisht duhet të vërtetohen, e më pas këto veprime do të sanksiohen sipas masave disiplinore.

 

Top Channel