Kosovë, qeveria miraton kornizën e shpenzimeve 2016-’18

29/04/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka miratuar kornizën afatmesme të shpenzimeve për periudhën 2016-2018, e cila parashikon një rritje ekonomike mesatare prej 4.4 për qind.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë paraqitjes së kornizës afatmesme në mbledhjen e qeverisë, tha se të ardhurat e përgjithshme deri në vitin 2018 do të rritën me 20 për qind krahasuar me vitin 2014, por edhe shpenzimet do të shkojnë deri 19 për qind më shumë.

Hoti tha se korniza afatmesme e bën më të lehtë arritjen e objektivave që ka qeveria për tre vitet e ardhshme. Ai tha se kjo rritje ekonomike do të mundësojë investime në ndërtimin e kapaciteteve të reja në energjetikë, bujqësi, shëndetësi dhe arsim.

Po ashtu, Hoti tha se korniza mundëson edhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, por edhe kategori të tjera.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe raportin tremujor të buxhetit për vitin 2015, ku sipas ministrit Hoti, për shkak të masave që janë marrë kanë ulur shpenzimet për 13 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

I pyetur rreth mundësisë së largimit të krerëve në Dogana dhe Administratën Tatimore ku dhe mblidhet buxheti i shtetit, ministri i Financave tha se është duke shqyrtuar raportet e punës në Dogana, pasi ky institucion ka vetëm 1 për qind të ardhura më shumë se vitin e kaluar për tremujorin e parë.

Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës të mërkurën kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët kërkuan që të kenë një anëtar të tyre në Këshillin Kombëtar të Shkencës, kërkesë që u pranua nga kabineti qeveritar.

 

Top Channel