Ahmeti në Prishtinë: Shkrirje dhe jo ndryshim kufijsh

27/04/2015 00:00

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nuk do ta braktisë koalicionin qeverisës në Maqedoni, pas incidenteve në zonat e banuara me shqiptarë, me arsyetimin se BDI-ja nuk dëshiron t’i shtojë problemet.

“Çdo gjeneratë ka idealet dhe idealistët e vet, por unë mendoj se, tanimë këto gjëra shqiptarët e Maqedonisë duhet t’i materializojnë duke u anëtarësuar vendi i tyre në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ne, të ardhmen e shohim tek pajtimi, integrimi, heqja e kufijve dhe jo vendosja e kufijve të rinj. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë tjetër alternativë më të mirë, përveçse Marrëveshjes së Ohrit”, u shpreh Ahmeti.

Si partner i koalicionit në qeverinë e Nikola Gruevskit, ai shtoi se ka kërkuar nga ndërkombëtarët të monitorojnë situatat, ndërkohë që zgjidhja e vetme mbetet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Ahmeti nuk i mohoi apo pohoi informacionet zyrtare të policisë maqedonase, se grupe të armatosur nga Kosova kanë marrë stacionin policor në Maqedoni. Ai tha se Qeveria e Maqedonisë nuk është ulur ta analizojë këtë çështje.

Këto komente, zoti Ahmeti i bëri pas takimit me zv.kryeministrin e Kosovës, njëherazi ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi.

Lidhur me situatën e fundit në Maqedoni, shefi i diplomacisë kosovare, Thaçi, tha se incidentet nuk ndihmojnë aspak në stabilitetin dhe paqen në rajon. Thaçi tha se e ka takuar kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski, në Bruksel, por grupet e armatosura, për çka Maqedonia ka thënë se janë nga Kosova, nuk ka qenë temë diskutimi.

Top Channel