Kosova përgënjeshtron Shkupin: Asnjë individ apo grup kriminal s’ka kaluar kufirin

21/04/2015 00:00

Policia e Kosovës përgënjeshtron pretendimet e Maqedonisë, se dhjetëra ushtarë nga Kosova kanë kaluar kufirin mes dy vendeve dhe kanë sulmuar një stacion policor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se, deri tani nuk ka asnjë element dyshues, që ndonjë shtetas nga Kosova tjetë futur në Maqedoni për të kryer ndonjë akt terrorist.

“Policia e Kosovës e posedon përmes autoriteteve maqedonase këtë informacion, lidhur me ngjarjen e ndodhur në stacionin policor kufitar të Goshincës, në Likovë të Maqedonisë, mirëpo deri në këtë fazë konfirmojmë se nuk ka asnjë element të dyshimit apo kalimit të vijës kufitare, nga individë apo grupe kriminale”, tha Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Kelani shtoi se, vijën kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë e patrullojnë së bashku policë kufitarë nga të dyja shtetet.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Departamenti i Policisë Kufitare ka planin operativ për mbulimin dhe kontrollin e vijës kufitare, duke përfshirë patrullimet e përbashkëta me zyrtarët kufitarë të Maqedonisë. Mund të konfirmojmë se, gjatë realizimit të detyrave policore nuk është vërejtur asnjë element apo lëvizje e individëve, apo grupeve të dyshuara, nga Republika e Kosovës drejt Maqedonisë, apo anasjelltas”, tha Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës dhe zyrtarët e saj policorë, sipas Kelanit vazhdojnë me realizimin e detyrave policore për menaxhimin dhe kontrollin kufitar, me qëllim parandalimin e krimit ndërkufitar.

Top Channel